Lista Serbe ofendon Policinë e Kosovës: Hordhitë me uniforma po kryejnë dhunë ndaj serbëve në veri
Partia kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe, pretendoi se Xhelal Sveçla, ministri i Brendshëm, po tentonte "të frikësonte pjesën tjetër të komunitetit serb" në Kosovë duke e lidhur Millan Radoicic me aktivitete të paligjshme "pa asnjë provë dhe pa asnjë përgjegjësi".
Lista Serbe u përgjigj kur Sveçla tha se Radoiçiq “është në krye të strukturave kriminale, përfshirë ato të kontrabandës, të cilat e sulmojnë Policinë e Kosovës” në veri të vendit.
Sipas Listës Serbe, “dhuna” ndaj serbëve “po kryhet për një periudhë të gjatë kohore nga hordhitë e veshura me uniforma, të dërguara nga Prishtina në veri të Kosovës, në luftën kundër biskotave plazma dhe coca-colës”, transmeton REL.
Sveçla ka pohuar se zyrtarët e sigurisë janë në dijeni për këta sulmues të policëve të Kosovës.
“Janë disa grupe të kontrabandistëve, por të gjitha të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë. Do të thotë, lidershpi i Serbisë në vazhdimësi ka shfrytëzuar grupet kriminale për të minuar Kosovën në atë pjesë, e si shpërblim u ka dhënë edhe mundësi për t’u pasuruar, si dhe imunitet pa kufi këtyre individëve. Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture”, tha Sveçla.