Libani thotë se vetëm ShBA-ja mund t’i japë fund luftës Izrael - Hezbollah
Ministri i Punëve të Jashtme i Libanit, Abdallah Bou Habib, ka sugjeruar se vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’i japin fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe ka shprehur keqardhje me reagimin e deritashëm të presidentit amerikan, Joe Biden.
Në komentet që i dha për agjencinë franceze të lajmeve, “Agence France Presse”, kryediplomati libanez për fjalimin e Bidenit të martën në OKB tha: “Nuk ishte i fuqishëm, nuk është premtues dhe nuk do ta zgjidhte problemin libanez... Ne ende po shpresojmë. Shtetet e Bashkuara janë i vetmi shtet që vërtet mund të bëjnë një dallim në Lindje të Mesme dhe sa i përket Libanit”, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke e dhënë fjalimin e fundit si president në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Bideni i bëri thirrje Izraelit kundër një lufte të plotë, por i fajësoi militantët libanezë të përkrahur nga Irani për sulmin e paprovokuar më 7 tetor të vitit të kaluar dhe për sulmet e vazhdueshme ndaj Izraelit prej asaj date.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ShBA-ja po punonte pa u lodhur për arritjen e një marrëveshjeje që do ta mundësonte rikthimin e popullsive në zonën kufitare mes Izraelit e Libanit, por diplomatët iranianë thanë se ishin njoftuar përmes palëve të treta se administrata amerikane kishte pranuar që është e pafuqishme për t’i ndalur bombardimet izraelite.
Kryediplomati libanez gjithashtu tha se numri i libanezëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre nga 7 tetori e para ofensivës izraelite ishte rreth 110 mijë, ndërsa tani ndoshta “po i afrohet gjysmë milionëshit”.