Lëvizja për Bashkim: Kurti po i injoron qytetarët, duhet të tregojë për planin franko-gjerman
Lëvizja për Bashkim ka bërë një aludim në lidhje me atë që po njihet si plani franko-gjerman. Sipas LB-së, ky plan ekziston dhe për të, kryeministri Albin Kurti duhet të japë informacione për kornizën e ofruar nga Franca dhe Gjermania.
Ata kanë vlerësuar se një nga dakordimet është që ky plan të mos bëhet publik.
“Përveç kësaj, tanimë është e njohur publikisht edhe ekzistenca e një plani franko-gjerman për t’iu dhënë fund bisedimeve Kosovë-Serbi, me synimin që të përmbyllej me një marrëveshje përfundimtare në mes të këtyre dy vendeve. Madje, u tha edhe publikisht se ka një marrëveshje në mes të palëve që ky plan të mos bëhet publik”, shkruhet në komunikatë.
Lëvizja për Bashkim i ka rikujtuar kryeministrit Kurti se ai po e injoron plotësisht opinionin publik.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti sa ishin në opozitë i kanë kritikuar zëshëm rivalët e tyre pikërisht për mungesë të transparencës në dialog, por tani e injorojnë plotësisht opinionin publik, madje edhe duke pohuar ‘pa frikë’ se plani ekziston, por se nuk do ta bëjnë publik”, theksohet në komunikatë.
