Lëshohet urdhërarrest për presidentin e pezulluar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol - NACIONALE

Lëshohet urdhërarrest për presidentin e pezulluar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë në Seul ka lëshuar urdhërarrest kundër presidentit të pezulluar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, për shkak të përpjekjes së tij për ta futur në fuqi ligjin ushtarak më 3 dhjetor.

Urdhërarresti vjen pasi Yeoli, i cili po hetohet për abuzim të pushtetit dhe nxitje të kryengritjes, shpërfilli tri thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë dy javëve të fundit, raporton televizioni BBC.

Ekipi ligjor i Yeolit e ka quajtur urdhërarrestin “ilegal dhe të pavlefshëm” dhe ka thënë se do ta sfidojë këtë masë në gjykatë.

Koreja e Jugut ka qenë në krizë politike që nga shpallja e ligjit ushtarak. Yeoli dhe pasardhësi i tij janë pezulluar nga deputetët.

Yeoli është presidenti i parë në pushtet i Koresë së Jugut që ballafaqohet me arrestim.

Hetuesit kanë afat deri më 6 janar që ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por mund të kërkojnë zgjatje të afatit.

Është e paqartë, megjithatë, nëse hetuesit do të jenë në gjendje që ta ekzekutojnë urdhërarrestin, pasi ata mund të sprapsen nga ekipi i tij i sigurisë dhe protestuesit.

Shërbimi presidencial i sigurisë më parë ua kishte bllokuar hyrjen hetuesve në hapësirat e zyrës presidenciale dhe në rezidencën private të Yeolit për të kryer bastisje për të cilat kishte urdhër gjykate.

Në të kaluarën, autoritetet në Korenë e Jugut kanë hequr dorë nga përpjekjet për arrestimin e politikanëve të njohur, pasi ndihmësit dhe mbështetësit e tyre e kanë bllokuar fizikisht policinë./Nacionale

Lajme të ngjashme