LDK-ja i përgjigjet partisë së Kurtit: VV-ja po bën propagandë, ne jemi për hapje të urës
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të disa zyrtarëve të VV-së, të cilën po e shtrembërojnë qëndrimin e kësaj partie opozitare.
Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka akuzuar partinë në pushtet për propagandë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se qëndrimi i kësaj partie është hapja e urës së Ibrit.
“Injorojeni propagandën! Ripërsëris qëndrimin e LDK-së: Ura duhet të hapet!
Nuk ka faktor politik shqiptar që ka qëndrim ndryshe mbi këtë çështje tash e 25 vjet! Ura nuk është hapur sepse shteti i Kosovës nuk ka arritur të bindë NATO-n për një gjë të tillë. Sa shpenzon kohë ky pushtet popullist e propagandues në betejën për vota me faktorin shqiptar, ta shpenzojë këtë kohë me bindjen e ushtarëve të NATO-s që sot janë mbi urë! Injorojeni propagandën!”, ka shkruar Mustafa.
Deputetë dhe eksponentë të caktuar të VV-së kanë komentuar qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili dje është shprehur pro hapjes se urës.
Më i zëshmi në këtë drejtim është treguar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka cituar një statusi të Abdixhikut të vitit 2016, që sipas Bajqinovcit atëherë Lumir Abdixhiku kërkonte hapjen e urës së Ibrit, ndërsa sot, po kërkon të mbahet e mbyllur kjo urë.
I pari i LDK-së, dje ka bërë me dije se qëndrim zyrtar i partisë së tij është hapja e urës.
“Ura duhet të hapet! Nuk ka dhe nuk njoh pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovë mbi këtë çështje tash e një çerek shekulli”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.