Latifi: Klerikët e pafytyrë ia mveshin tërmetet Zotit
Filozofi Blerim Latifi, ka shkruar një status relativisht të gjatë për tërmetet, pasi disa tërmete të fuqishme kanë goditur Turqinë dhe Sirinë.
Me anë të një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se viktimat e tërmeteve janë kryesisht të varfërit.
“Viktimat kryesore të tërmeteve gjithmonë janë të varfërit, ngase jetojnë në ndërtesa të ngritura me standarte të ulëta të ndërtimit dhe pa i respektuar parametrat inxhinerikë të rezistencës ndaj termeteve. Kuptohet: kushtet ekonomike ua diktojnë kët' gjë. Ndërkaq, cubat e mëdhenj të pushteteve politike dhe ekonomike u shpëtojnë tërmeteve pikërisht pse jetojnë në ndërtesa me garanci të mëdha inxhinierike. Prandaj viktimat e tërmeteve nuk janë thjesht viktima të fatkeqësive natyrore, por njëkohësisht edhe viktima të ekonomive që e prodhojnë dhe e konservojnë varfërinë”, shkruan Latifi.
Tutje, ai ka kritikuar klerikët fetarë që thonë se tërmetet janë pasojë e zemërimit të Zotit.
“Dhe për t'ia vënë kapakun gjithmonë dalin klerikë të paftyrë që tragjeditë e tilla njerëzore ia mveshin zemërimit të Zotit. Po pse do duhej Zoti të zemërohej me një foshnje të cilës duke fjetur i bie muri mbi kokë? A nuk do duhej Zoti të zemërohej me ata që i detyrojnë njerëzit të jetojnë në kushte të mjera ekonomike, pasojë e të cilave janë edhe banesat e ndërtuara pa kurfarë sigurie? Dhe me ata që përmes frazave për "paracaktimin e ngjarjeve nga Zoti", i fshehin gabimet e poshtërsitë njerëzore”, ka thënë Latifi.
