Kuvendi i Kaçanikut miraton propozimin: Nga janari, nga 200 euro për nënat lehona
Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar unanimisht propozimin për mbështetjen financiare të nënave lehona, një nga premtimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.
Sipas vendimit të marrë, çdo nënë lehonë do të përfitojë mbështetje financiare në vlerë prej 200 eurosh, ndërsa zbatimi i kësaj mase do të fillojë nga janari i vitit 2026.
“Premtimi im i parë si Kryetar i Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e nënave lehona, në vlerë prej 200 euro, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se përkushtimi i institucioneve komunale do të vazhdojë të jetë i orientuar drejt familjes.
“Zbatimi i këtij premtimi fillon nga janari i vitit 2026. Kujdesi për familjen dhe sidomos për fëmijët mbetet prioriteti ynë”, ka deklaruar Vishi.