Kushtet e mjerueshme në Gjinekologji: QKUK reagon ndaj videos së publikuar nga Gani Geci
Është njëra nga klinikat e QKUK-së ku shumë familje marrin gëzim. Por jo çdoherë në Gjinekologjinë e QKUK-së ndodhë kjo gjë. Krahas gëzimit që shumë nëna përjetojnë aty, ato ballafaqohen edhe me shumë sfida.
Në Gjinekologjinë e QKUK-së mungon shumëçka. Duke u nisur nga kushtet higjienike, dhomat, banjot, ushqimi e gjithçka tjetër kërkon investim aty.
E ditëve të fundit si shumë nëna kosovare, me kushtet e mjerueshme u ballafaqua edhe një deputete e Kuvendit të Kosovës, Marigona Geci.
Ajo për ATV-në ka shpjeguar për kushtet e mjerueshme që janë aty.
“Në repartin e Gjinekologjisë nuk funksionin asgjë, ka papastërti të madhe, dhe për këtë arsye besoj edhe foshnja ime është infektuar. Kam ardh në Gjinekologji, e kam lind djalin, dhe kam vazhduar për 24 orë me qëndrim këtu. Sa i përket situatës, papastërtisë, dhe gjendjes së përgjithshme në spital është minimum, zero”.
Geci thotë se ka pranuar të shkojë në Gjinekologji për shkak të premtimit elektoral, se “në rast nevoje, unë do të ju drejtohem spitaleve publike”.
E njëjta vazhdon të tregojë për situatën aspak të mirë brenda spitalit të Gjinekologjisë.
“Në një shtrat janë nga dy lehona, nuk ka vend për pranimin e lehonave të tjera. Mungojnë të gjitha gjërat elementare, duke përfshi edhe letrat higjenike, duke përfshi edhe ujin e ngrohtë”.
E për situatën aty ka shkruar e shprndarë një video edhe Gani Geci.
E pak sqarim tërthorazi për këtë punë kanë dhënë edhe nga SHSKUK. Prej aty kanë sqaruar se janë duke e bërë renovimin e njërit prej reparteve të lehonave në këtë klinikë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton qytetarët e Kosovës, se Reparti i Lehonave, në kuadër të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, aktualisht është në rinovim e sipër. Në atë pjesë ku është duke u rinovuar reparti nuk ka asnjë paciente të shtrirë. Klinika Obstetrike Gjinekologjike ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientet që kanë nevojë të marrin shërbimet e nevojshme. Klinika kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, ngase rinovimi po bëhet me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira për nëna dhe lehona”, është thënë në njoftimin e SHSKUK-së.