Kurtit e Muratit iu del kundër edhe ‘akademik’ Bahtiri: Ekzekutoni pagat menjëherë
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka ftuar ministrin e Financave, Hekuran Murati që t’i ekzekutojë pagat e mësimdhënësve pa vonesë.
Bahtiri përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se një gjë e tillë duhet të ndodhë patjetër.
“Inflacioni financiar i muajve të fundit dhe shpenzimet e shtuara familjare për t'u përgatitur për dimër, domosdoshmërisht që vendosin në vështirësi familjet e mësimdhënësve. Kur shtojmë këtu edhe faktin se shumica prej mësimdhënësve kanë kredi në bankat komerciale, atëherë mos-ekzekutimi i pagave do t'i godiste rëndë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”, ka thënë ai.
Politikani, të cilin kryeparlamentari Glauk Konjufca e kishte konsideruar si akademik, ka thënë se ekzekutimi i pagave duhet të obligojë mësimdhënësit që të kompensojnë orët e humbura nga greva.
Postimi i plotë i Bahtirit:
Pagat e mësimdhënësve duhet patjetër të ekzekutohen nga Ministria e Financave. Andaj, ftoj ministri Hekuran Murati që t'i ekzekutoj pagat pa vonesë.
Inflacioni financiar i muajve të fundit dhe shpenzimet e shtuara familjare për t'u përgatitur për dimër, domosdoshmërisht që vendosin në vështirësi familjet e mësimdhënësve. Kur shtojmë këtu edhe faktin se shumica prej mësimdhënësve kanë kredi në bankat komerciale, atëherë mos-ekzekutimi i pagave do t'i godiste rëndë mësimdhënësit dhe familjet e tyre.
Ekzekutimi i pagave do të duhet të përcillet edhe me obligimin që mësimdhënësit t'i kompensojnë orët e humbura mësimore gjatë këtij viti shkollor.
AB
