Kurti vazhdon mbajtjen e takimeve partiake në Qeveri, Duda Balje i shkon në takim
Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë për t`i takuar me kandidatin e VV-së për kryeministër, Albin Kurti.
Ky i fundit, dje i ka filluar takimet konsultative me partitë politike për formimin e qeverisë së re.
Një ditë më parë, ajo ka treguar se e ka një kërkesë për koalicion me VV-në.
“Po, patjetër. Nuk jam duke lëvizur prej vendimit që kemi marrë brenda partisë. Kërkesa është prej ditës së parë, edhe sot edhe nesër. Në fakt, nuk është kusht, por është pjesë e marrëveshjes për qeveri,” ka theksuar Balje.
Të mërkurën Kurti ka takuar shumicën e partive të komuniteteve jo serbe.
Ndonëse këto takime janë në cilësinë e kryetarëve të partive politike, Kurti ato i ka mbajtur në Zyrën e Kryeministrit.
Madje, për këto takime partiake është shfrytëzuar edhe departamenti për media i Zyrës së Kryeministrit.