Kurti përkujton Enver Zymerin: Hero i ligjshmërisë demokratike të Kosovës
Sot shënohet dita e përkujtimit të rënies së policit Enver Zymeri, hero i Kosovës, i cili ra në detyrë gjatë marrjes së pikave kufitare në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook e ka quajtur Zymerin hero të ligjshmërisë demoratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës.
“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës” – ka shkruar ai.