Kurti për Manastirin e Deçanit: Priftërinjtë atje s’po pranojnë të më takojnë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se priftërinjtë në Manastirin e Deçanit nuk po pranojnë të takohen me të.
Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s është treguar optimistë dhe sipas tij kjo çështje do të zgjidhet.
“Për Manastirin e Deçanit, janë 24 hektarë tokë që iu dhanë para 25 vjetëve nga regjimi i Millosheviqit. Kemi vendim të Kushtetueses, por ka lëndë administrative në lidhje me pronat. Besoj çështja do të zgjidhet, jam optimist. Jam kryeministri i parë i Kosovës i cili nuk pranohet në takim nga priftërinjtë ortodoksë në Manastirin e Deçanit. Janë takuar pararendësit e mi, por mua nuk më duan në takim. Kam kërkuar takim por më refuzojnë. Besoj se mund të përfshihemi në dialog e të zgjidhim problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajmë Manastirin e Deçanit, që është trashëgimi kulturore e gjithë qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës gjithashtu ka thënë se sa i përket manastireve në Kosovë, ato kanë zona të posaçme me qindra hektarë rreth tyre në përputhje me planin e Marti Ahtisaarit.
Kujtojmë se organizata prestigjioze ndërkombëtare, Europa Nosta, e kishte vënë Manastirin e Deçanit mes shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë.
Kjo kishte bërë që Qeveria ta protestonte ashpër vendimin.
Europa Nostra kishte vizituar vendin muaj më parë përmes një delegacioni të lartë, por kryeministri Kurti nuk ishte takuar. Në vend të tij, ishte takuar Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

