Kurti për fjalimin e Ramës: S’e kam dëgjuar, kam qenë në Pejë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot dha një fjalim 1-orësh para Këshillit Evropian, ku i doli në mbrojtje ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Fjalimin që është një prej çështjeve më të komentuara sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po thotë se nuk e ka dëgjuar.
Kurti në konferencën për media, në lidhje me Raportin e Progresit, u pyet edhe për fjalimin e Ramës.
Sidoqoftë, të njëjtin pretendoi se nuk e ka dëgjuar, pasi që gjatë gjithë ditës ka qenë në Pejë.
“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar, kam qenë në Pejë dhe tërë ditën nëpër takime të shumta, e në mbrëmje vonë përpiqem të “apdejtohem” për mëngjesin e hershëm”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Rama sot kërkoi nga të gjithë anëtarët e Asamblesë, që ta paramendojnë presidentin e Ukrainës pas 10 vitesh, në situatën e njëjtë ku është Hashim Thaçi tash.
“Kjo dëmton bashkësinë ndërkombëtare. Besimi është thyer. Kur bota kthehet përmbys, e viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur. Viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Është bashkësia ndërkombëtare. Një lajm i rremë u shndërrua në një raport, e pastaj në një rezolutë. Si rrjedhojë e vendimit të kësaj Asambleje, bota u kthye përmbys, viktimat e luftës u kthyen në kriminel. Kërkimi për të vërtetën, u kthye në një gënjeshtër. Një i ri luftëtar, u shndërrua në një udhëheqës të bande mafioze. Një udhëheqës i zgjedhur u kthye në një kriminel lufte”, tha Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

