Kurti në Maltë: Pjesëmarrës në Këshillin e Internacionales Socialiste - NACIONALE

Kurti në Maltë: Pjesëmarrës në Këshillin e Internacionales Socialiste

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste, i cili po mbahet në Maltë.

Kurti është i rregullt në këto takime ku përfaqësuesit e partive të majta mblidhen e flasin për progres.

E plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste, që u mbajt në Maltë.

Punimet e Këshillit nisën me takimin e Presidiumit, ku së bashku me udhëheqës të tjerë progresistë, kryeministra dhe kryetarë të partive socialdemokrate, socialiste e laburiste, u diskutua mbi sfidat globale të paqes e të demokracisë, të drejtësisë sociale e të ndryshimeve klimatike.

Përveçse në Presidium, Kryeministri Kurti mbajti edhe një fjalim në vijim të punimeve të Këshillit para delegacioneve pjesëmarrëse, ku ai theksoi rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Kryeministri i Kosovës shpjegoi se si në mandatin e tij lufta kundër korrupsionit ka kontribuar në rritjen ekonomike gjersa politikat sociale të rishpërndarjes e kanë bërë zhvillimin progres gjithpërfshirës.

Në punimet e këtij Këshilli morën pjesë edhe krerë të lartë të Qeverive nga vende të ndryshme, përfshirë Kryeministrin e Maltës Robert Abela si nikoqir si dhe Kryeministrin e Spanjës dhe Kryetarin e IS, Pedro Sánchez, të cilët së bashku me liderë të tjerë progresistë diskutuan mbi dinamikat aktuale globale e sidomos ato në Mesdhe, si dhe rolin e detyrat e Internacionales Socialiste në këtë kontekst.

Pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti në këtë forum ndërkombëtar thekson angazhimin e Republikës së Kosovës në organizatat progresiste globale dhe rikonfirmon funksionin e saj aktiv në promovimin e paqes, dialogut e të lirisë, të demokracisë, solidaritetit dhe të drejtësisë.

Lajme të ngjashme