Kryeziu i KDI-së, anëtarëve të KQZ-së: Qenkan ankuar pse s'janë vëzhguar teksa kanë lejuar manipulimin
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi i VV-së dhe Arianit Elshani i PDK-së, të cilët kanë gjetur “fajin” te shoqëria civile për vjedhjen e votave, ndonëse manipulimi i votave të kandidatëve për deputetë është bërë nga komisionerët e partive politike.
Kryeziu e ka quajtur absurd tentimin për të bartur fajin tek organizatat joqeveritare për keqpërdorimet që kryhen nga komisionerët e partive politike, të cilët emërohen nga vetë subjektet dhe kontraktohen nga KQZ-ja. Ai ka shtuar se ankesa e tyre në thelb është një pranim i dështimit për të parandaluar manipulimet brenda strukturave që vetë ata i menaxhojnë.