"Kryetari i Kuvendit mund të thërrasë seancat pa njoftim paraprak të deputetëve", avokati i PDK-së komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese nuk u lëshua në vlerësimin e vendimit të Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca për caktimin e Seancës Plenare, të datës 13 korrik 2023, të kontestuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Fetahu ka thënë se “gjykata nuk u lëshua në vlerësimin e vendimit të kontestuar për faktin se ky “vendim” ishte i Kryetarit dhe jo i Kuvendit”, përkundër faktit se “rregullorja e Kuvendit është akt i nivelit kushtetues dhe cila miratohet me 2/3 e deputetëve të Kuvendit”.
Avokati Fetahu ka deklaruar më tej se fakti që nuk është lëshuar në vlerësimin e kushtetushmërisë së këtij vendimi, tregon se “vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë janë jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta”
Kjo sipas avokatit të PDK-së krijon hapësirë që vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë të jenë “jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta.”