Kryesia e LDK-së: Rezultati i qershorit s’ishte ai që e pritëm, por e përkrahim Abdixhikun, anëtarët ta forcojnë partinë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media pas mbledhjes së partisë.
Në të njëjtën, thuhet se kryesia e kësaj partie vlerëson se rezultati zgjedhor nuk përmbush synimet dhe pritjet e tyre, megjithatë, shpreh mbështetje të plotë ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.
“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë.
Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, thuhet në komunikatë.
Tutje, theksohet se zgjedhjet e brendshme do të mbahen në afat të rregullt, ndërsa kryesia ka ftuar anëtarët që energjinë dhe angazhimin “ta drejtojnë drejt forcimit të partisë”.
“Kryesia Qendrore fton të gjithë anëtarët, veprimtarët dhe strukturat e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta drejtojnë drejt forcimit të partisë, rritjes së besimit qytetar dhe përmbushjes së përgjegjësive që vendi pret nga ne. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, të qëndrueshme dhe të përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike”.
Komunikata e plotë: