Kryepeshkopi i ri shqiptar në Stamboll te Patriarkana Ekumenike
11 qershor 2025 – I fronëzuar në mars të këtij viti në krye të ortodoksisë shqiptare, kryepeshkopi Joan Pelushi nga e premtja do të nisë vizitën e tij të parë fetare jashtë vendit.
Në njoftimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është bërë e ditur se një delegacion i KOASh-it do të realizojë një vizitë disaditore në Patriarkanën Ekumenike në Stamboll.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njofton se nga dt. 13 deri më 17 qershor 2025, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, së bashku me një delegacion, do të kryejë vizitë zyrtare paqësore në Patriarkanën Ekumenike në Stambol”, thuhet në njoftim.
Pjesë e delegacionit shqiptar do të jenë mitropoliti i Fierit dhe Apollonisë, hirësi Nikolla; ai i Beratit, hirësi Asti; episkopi i Krujës, Anastasi, protopresviteri Atë Jani Mërkuri; kryedhjakoni Johan Koroveshi, si dhe profesori Andrea Rëmbeci.
“Vizita kryhet në kuadrin e vizitave tradicionale paqësore që kryejnë Primatët e Kishave Orthodhokse, që nisin nga Patriarkana Ekumenike, e cila mban vendin e parë të nderit, dhe vijojnë në të gjitha Kishat Orthodhokse. Kjo vizitë është shprehje e unitetit të Kishës në Shpirtin e Shenjtë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ZYra e Shtypit të KOASh-it.
Ndërkohë, është mësuar edhe agjenda e kësaj vizite ku të shtunën është paraparë që kryepeshkopi shqiptar të kryesojë një doksologji (liturgji) në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar.
Kjo do të pasohet me pritjen e tij në Dhomën e Fronit nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Bartolomeu dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Fanarit.
Kurse të dielën, me rastin e Kremtës së të gjithë Shenjtëve, Patriarkana do ta shënojë me një liturgji ku Bartolomeu dhe Kryepeshkopi Joan do të bashkëkremtojnë me hierarkët e të dyja kishave.
Më 25 janar të këtij viti, kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos vdiq në moshën 95-vjeçare.
Ai qëndroi për 33 vjet në krye të ortodoksisë shqiptare prej rënies së diktaturës komuniste e deri te konsolidimi i KOASh-it dhe afirmimi i tij ndërkombëtar.
Me një sfond tejet të rrallë të shkollimit në teologji, njohës i shumë gjuhëve dhe kulturave, Anastasi i Shqipërisë u cilësua si figurë e shënuar e rilindjes fetare në Shqipëri në vitet që pasuan shembjen e diktaturës.
Me devizën e tij nga Ungjilli i Mateut “Shko e bëj dishepuj nga të gjitha kombet”, Anastasi ishte mbështetës i idesë që ortodoksia në secilin vend të ketë kishë e priftërinj vendës.
Në vitin 2000, ai ishte kandidat për Çmimin Nobel për Paqe, dhe qysh atëherë ishte përmendur roli i tij prej ndihmëtari për 33 mijë refugjatë nga Kosova.
Më 16 mars, Sinodi i Shenjtë i KOASh-it zgjodhi hirësi Joan Pelushin si kryepeshkop të ri.
Fronëzimi i tij u bë më 29 mars në Katedralën “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. /Nacionale/