Kryeministri polak, republikanëve të ShBA-së: Turp ju qoftë, Reagani sigurisht rrotullohet në varr - NACIONALE

Kryeministri polak, republikanëve të ShBA-së: Turp ju qoftë, Reagani sigurisht rrotullohet në varr

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i ka kritikuar ashpër senatorët e Partisë Republikane të ShBA-së, si duket për shkak të bllokimit të një projektligji rreth kufirit ShBA – Meksikë dhe ndihmave për Ukrainën.

“Të dashur senatorë republikanë të Amerikës. Ronald Reagan, i cili ndihmoi miliona prej nesh që ta fitonim prapë lirinë dhe pavarësinë tonë, duhet të jetë duke u rrotulluar në varr sot. Turp ju qoftë” – shkroi kryeministri polak në rrjetin X, raporton gazeta “The Guardian”.

Kritika jashtëzakonisht e ashpër ndaj partnerëve më të rëndësishëm të sigurisë për Varshavën erdhi pasi Senati i ShBA-së bllokoi një projektligj dypartiak me vlerë të 118 miliardë dollarëve për sigurinë kufitare në kufirin ShBA – Meksikë si dhe për ndihmat miliardëshe për Ukrainën e Izraelin. Me këtë projektligj do të ndaheshin 60 miliardë dollarë për asistencë ushtarake për Kievin.

Tusku është njëri nga politikanët veteranë të Evropës, duke shërbyer si kryeministër i Polonisë nga viti 2007 deri më 2014, president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019 dhe kryetar i partisë Populli Evropian nga viti 2019 deri më 2022, para se të kthehej në pozitën e kryeministrit në fund të vitit të kaluar.

Gazeta Nacionale raportoi më herët të enjten për bllokimin e një projektligji në Senatin e ShBA-së për kufirin me Meksikën dhe ndihmat miliardëshe për Ukrainën e Izraelin. Artikullin mund ta lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme