Krasniqi: Rrugëtimi i PDK-së nuk është as i plotë dhe as i suksesshëm pa gra, 50/50 është formula jonë - NACIONALE

Krasniqi: Rrugëtimi i PDK-së nuk është as i plotë dhe as i suksesshëm pa gra, 50/50 është formula jonë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka pasqyruar ato që ai ka premtuar, në Konventën e Gruas Demokratike, e cila u mbajt sot.

Sipas Krasniqit PDK-ja nuk është e plotë e as e suksesshme pa gra, e se formula e përfaqësimit në të gjitha strukturat e partisë do të jetë 50/50.

Ai ka premtuar se do t’i bëjë propozimet e nevojshme, në konventën e rradhës që kjo formulë të jetësohet në praktikë brenda partisë, e sipas tij kur Partia Demokratike të qëverisë, kjo të ndodhë edhe në shtet.

Postimi i plotë i Krasniqit

Rrugëtimi i PDK-së nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë.

50% me 50% është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë.

Në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, unë do t’i propozoj ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, do ta bëjmë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit tonë, të kenë ndarje të barabartë të pozicioneve udhëheqëse, pra 50/50, duke përfshirë pozitat e Kryetarëve, Nënkryetarëve dhe Sekretarëve.

Në zgjedhje lokale, aty ku kandidatja ose kandidati për Kryetare ose Kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër.

Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30%, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar.

Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna, qe disa mandate.

Unë besoj se gratë nuk mund të vazhdojnë të përshtaten, por ato duhet të ngriten e të marrin në dorë fuqinë që ju takon, për ta bërë Kosovën vendin që e kemi synuar e që e synojmë për vete e për fëmijët tanë.

Dhe kjo do jetësohet brenda PDK-së, e me PDK-në në qeverisje, do të jetësohet gjithandej Kosovës.

Na priftë e mbara!”

Lajme të ngjashme