Krasniqi: Qeveria duhet ta trajtojë me seriozitetin më të lartë gjendjen në veri të vendit, të koordinohet me ShBA-të
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë sot thirrje Qeverisë së Kosovës që situatën e krijuar në veri të vendit ta trajtojë me seriozitetin më të madh dhe të fokusohet në gjetjen e zgjidhjes që nuk rrezikon përkeqësimin e situatës.
Lider opozitar i ka bërë thirrje qeverisë që të komunikojë dhe t’i mer për bazë këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë për të ofruar zgjidhje në të cilat e ruajnë sovranitetin në pjesën veriore të vendit. Këto deklarata, Krasniqi i ka bërë sot pas vizitës që i bëri Aleancës Kosovare të Bizneseve ku u diskutua për vështirësitë e mëdha me të cilat po përballen bizneset kosovare.
"Zhvillimet në veri të vendit janë shumë shqetësuese dhe nga ajo që po shohim, kanë një potencial për tu përshkallëzuar tutje. Këto veprime është dashur të mendohen në një sekuencë e cila dërgon në një epilog të qartë dhe fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po duket se ka qenë si rast këtë herë.
Ne besojmë se sa nuk ka agravuar situata, është obligim i qeverisë ta trajtojë këtë gjendje. Të koordinohet fuqishëm me partnerët ndërkombëtar dhe në radhë të parë me SHBA për të rivendosur e për të mirëmbajtur rendin publik, ligjshmërinë dhe mbi të gjitha sovranitetin.
Do të ishte e pafalshme që krejt ai progres që është arritur në integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin, Administratën Publike dhe çdo shërbim tjetër bazik, të humbet e të zhbëhet kaq shpejt”, ka thënë Krasniqi.