Krasniqi në 25 vjetorin e bombardimeve: Për keqardhje që s’kemi manifestim zyrtar institucional, mosmirënjohës ndaj aleatëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në njëzet e pesë vjetorin e fushatës ajrore humanitare të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ka rikujtuar “miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta”.
Krasniqi ka shprehur keqardhje që në këtë njëzet e pesë vjetor nuk ka pasur manifestim zyrtar institucional, mungesë e cila tha se vjen për shkak të “mendësisë shpërfilëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm” nga pushteti aktual.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Sot, shënojmë 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, një moment ky historik për popullin tonë. Nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta.
Prandaj, mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përherhshme dhe e paharruar. Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike.
Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjenë Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfilëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm.
Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit!