KQZ për situatën në veri: Janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme me armë zjarri dhe shpërthime - NACIONALE

KQZ për situatën në veri: Janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme me armë zjarri dhe shpërthime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas disa incidenteve të raportuara gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje ku është diskutuar për situatën në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit komunalë të KQZ-së kishin nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhjetorit në tri komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Sipas KQZ-së, vendosja e zyrtarëve në këto zyra është bërë në bashkëpunim me policinë, por situata e ka vështirësuar përfundimin e detyrës.

Zyra e Mitrovicës së Veriut raportoi se kishte dëgjuar të shtëna të shumta dhe shpërthime, sipas Komisionit Qendror.

“Sipas njoftimit që kemi pranuar nga zyrtari ynë, është se, me të arritur te kjo zyre është parë se dritaret e saj ishin të thyera. Fillimisht, zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të Ministrisë së Brendshme kanë tentuar që ta hapin derën e zyrës, por kanë hasur në vështirësi, për shkak se nuk ishte e mundur të hapej dera prej metali. Në atë kohë, sipas njoftimit që kemi pranuar, zyrtari unë tregon se në afërsi janë dëgjuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj situate të tensionuar, zyrtari ynë dhe të MPB-së e MAPL-së janë tërhequr. Pas tërheqjes së zyrtarëve, sipas raportimeve të më pastajme, zyra e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar”, thuhet në njoftimin e KQZ-zë.

Zyrtarët e zgjedhjeve lokale janë larguar nga zyra e Zubin Potok nën mbrojtjen e Njësisë Speciale, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Rreth mesditës, sipas informatave që kemi pranuar, zyrtarët e KQZ-së, në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë filluar që së pari që të funksionalizojnë zyrën në komunën e Zubin Potokut. Në hyrje të objektit të komunës, një zyrtare e komunës së Zubin Potokut, ka marrë dokumentet identifikuese të zyrtarëve të KQZ-së dhe pas identifikimit të njëjtit pastaj janë drejtuar për në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, që ndodhet në ndërtesën ku funksionon administrata komunale e kësaj komune. Pasi zyrtari ynë ka hyrë në zyre, nën sigurinë e Policisë së Kosovës, është vërejtur se disa nga punonjësit tjerë të administratës komunale janë duke u larguar me shpejtësi. Pasi këta punonjës janë larguar nga ndërtesa, duke shkaktuar një situatë paniku, është hedhur një mjet që mendohet se ishte shokë-bombë. Në ato momente, është dëgjuar alarmi i qytetit dhe zyrtari ynë është siguruar nga Policia e Kosovës, dhe pas ardhjes së Njësisë Speciale janë tërhequr”, njoftoi KQZ.

Lajme të ngjashme