Korenica jep detaje për gjendjen e vajzës së tij: Beteja e saj me kancerin ka hyrë në vitin e katërt
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Korenica, ka bërë të ditur se beteja e vajzës së tij, Urtinës, me kancerin ka hyrë në vitin e katërt, ndërsa gjatë kësaj periudhe ajo është përballur katër herë me sëmundjen.
“Ka beteja që nuk zgjidhen brenda një dite, një muaji apo një viti. Beteja e Urtinës ka hyrë në vitin e katërt. Brenda këtyre katër viteve, ajo është detyruar të përballet plot katër herë me kancerin. Katër herë është rrëzuar dhe katër herë është ngritur për të vazhduar luftën për jetën”, ka shkruar Korenica.
Ai ka falënderuar Ministrinë për mbështetjen e dhënë për trajtimin fillestar në Turqi, si dhe shtetin francez për mundësimin e trajtimit të saj deri më tani.
“Sot, me zemër plot mirënjohje, falënderojë Ministrinë për mbështetjen e dhënë herën e parë, kur Urtinës iu mundësua trajtimi në Turqi pasi i njëjti trajtim nuk kryhej në Kosovë. Falënderojë nga zemra edhe shtetin e Francës, i cili ka bërë të mundur trajtimin e saj deri më sot”, ka deklaruar ai.
Korenica sqaroi se fondi për trajtimin e Urtinës është iniciuar nga familjarët dhe miqtë, me qëllim që asaj t’i sigurohet çdo mundësi për vazhdimin e trajtimit.
“Shumë me kanë pyetur për fondin e trajtimit. Dëshirojë të sqarojë se kjo nismë ka lindur nga rrethi familjar dhe miqësor, me një qëllim të vetëm, t'i japim Urtinës çdo mundësi për të vazhduar luftën e saj”, ka shkruar Korenica.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të arrijë një terapi me vlerë rreth 30 mijë euro, ndërsa pas kësaj faze Urtinën e pret një tjetër trajtim, kostoja e të cilit kalon 120 mijë euro.
“Nesër, nga ShBA, pritet të arrijë një terapi me vlerë rreth 30 mijë euro. Kjo terapi është një dritë e re shprese. Por rrugëtimi nuk përfundon këtu. Pasi Urtina ta përballojë këtë fazë dhe ta marrë veten, e pret një trajtim tjetër, kostoja e të cilit kalon 120 mijë euro terapi”, ka thënë ai.
Korenica ka falënderuar të gjithë personat që gjatë këtyre viteve e kanë mbështetur Urtinën dhe familjen e saj përmes lutjeve, vizitave, telefonatave dhe kontributeve financiare.