Koreja Veriore hedh raketë balistike, kërcënon me kundërpërgjigje “më të egër” ushtarake - NACIONALE

Koreja Veriore hedh raketë balistike, kërcënon me kundërpërgjigje “më të egër” ushtarake

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore hodhi të enjten një raketë balistike me rreze të shkurtër, tha Koreja Jugore, disa orë pasi Koreja Veriore kërcënoi se do të japë kundërpërgjigje më të egra ushtarake ndaj fuqizimit të zotimit të ShBA-së për sigurinë e vendeve aleate, Japonisë e Koresë Jugore.

Ushtria e Koresë Jugore e vërejti hedhjen e raketës nga zona e bregdetit lindor të Koresë Veriore në orën 10 e 48 minuta sipas kohës lokale, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Koresë Jugore.

Në deklaratë thuhet se Koreja Jugore e ka shtuar vëzhgimin e vendit fqinj dhe po mban gatishmëri ushtarake e bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, shkruan gazeta “The Guardian”.

Kjo ishte raketa e parë balistike që Koreja Veriore e hodhi në tetë ditët e fundit dhe më e reja në një varg testimesh që i ka kryer ky shtet në muajt e fundit.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Koresë Veriore, Choe Son Hui, paralajmëroi se një marrëveshje e bërë rishtazi mes Shteteve të Bashkuara, Koresë Jugore e Japonisë do t’i lërë tensionet në Gadishullin Korean “më të paparashikueshme”.

Lajme të ngjashme