Konjufca në takim me delegacionin e Portugalisë: Kërkohet vazhdimi i përkrahjes për liberalizimin e vizave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot një ekip të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Portugez.
Sipas njoftimit, Konjufca ka falënderuar deputetët portugez për ndihmën dhe mbështetjen që Portugalia i ka dhënë deri më tani Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i delegacionit portugez, Sergio Sousa Pinto konfirmoi mbështetjen për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Komunikata e plotë:
Kryetari Glauk Konjufca priti në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Portugalisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto.
Kryetari Konjufca u shprehu mirënjohje deputetëve portugezë për ndihmën dhe përkrahjen e deritashme që Portugalia i ka dhënë Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit njëherësh kërkoi vazhdiminin e kësaj përkrahjeje për liberalizimin e vizave dhe për proceset euro-integruese që ka përpara shteti ynë, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit portugez, Sergio Sousa Pinto, pasi e falënderoi për pritjen, e njoftoi kryetarin Konjufca lidhur me intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes Grupit të Miqësisë i cili, siç bëri të ditur, pritet që së shpejti të formohet në kuadër të Parlamentit të Portugalisë. Pinto po ashtu konfirmoi mbështetjen për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Në takim u shpreh gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve.