Konjufca: Dhimbja për Kadaren është shumë e madhe, por ai do të jetë mes nesh i paharruar
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, morri pjesë në homazhet në Tiranë, në nderim të jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë.
Konjufca tha se dhimbja për ikjen e tij është shumë e madhe, por ai do të jetë mes nesh i paharruar, me krijimtarinë e tij që do të mbetet e pavdekshme në letërsinë botërore.
“Me veprën e tij ai zgjeroi gjuhën, mprehu perceptimet dhe stërholloi ndijimet, ndezi imagjinatën e formësoi përfytyrime për të gjithë popullin tonë. Figurat, frazat, vargjet dhe personazhet e tij janë tashmë referenca kolektive të mendimit dhe shqisave tona artistike si komb”, tha Konjufca.