Konfiskohet para dhe mallra të kontrabanduara në Leposaviq, shoferi kapet duke hyrë ilegalisht nga Serbia
Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet tip VW Sharan me targa serbe në fshatin Joshanicë të Leposaviqit, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Kosovë. Automjeti drejtohej nga M.B. (1980).
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 13,992 euro, 17,880 dinarë serbë si dhe materiale për mobilje me vlerë rreth 600 euro.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Kalim i paautorizuar i vendkalimit kufitar apo vijës kufitare”. Automjeti, mjetet monetare dhe mallrat e kontrabanduara janë dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës për procedim të mëtutjeshëm nga njësitë përkatëse të Policisë dhe Doganës së Kosovës.