Komisioneri Evropian: Ballkani Perëndimor është bërë një prioritet gjeostrategjik më shumë se kurrë
Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë prioriteti kryesor strategjik, sipas Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi-t, në një deklaratë drejtuar Konferencës së Nivelit të Lartë të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor.
Për të përshpejtuar procesin dhe për t'i dhënë rinisë së rajonit një të ardhme më të mirë, BE-ja ka kontribuar me 30 miliardë euro përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve, tha komisioneri Varhelyi.
Ai ka thënë se në këto kohë të trazira, integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet prioriteti më i rëndësishëm gjeostrategjik.
“Në mes të kësaj krize, teksa përpiqemi të lehtësojmë pasojat shkatërruese të kësaj lufte, Ballkani Perëndimor është bërë një prioritet gjeostrategjik për ne më shumë se kurrë. Prandaj, me më shumë fokus, ne duhet të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar rrugën e tyre evropiane dhe për ta bërë realitet perspektivën e tyre evropiane. Është në interesin tonë të përbashkët të përshpejtojmë proceset e tyre të zgjerimit, me perspektivën e BE-së forcën kryesore lëvizëse për reformat e nevojshme urgjentisht”, tha ai mes tjerash.