Këshilltari i Gërvallës e përdor figurën e bacës Rifat për t`i shpërlarë ‘gjynahet’ e shefes së tij kundër UÇK-së
Leutrim Sahitit, këshilltar i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nuk i kanë pëlqyer kritikat që dje i mori shefja e tij nga disa gazetarë dhe analistë.
Ai sot i ka sulmuar kritikuesit e shefes se tij, duke thënë se atyre nuk do t'ua falë historia.
Deponimin e dosjes kundër UÇK-së në Hagë dhe fyerjet e ulëta të Gërvallës ndaj UÇK-së e themeluese të saj, ai është munduar t`i mbulojë me një video të Gërvallës me bacën Rifat, vëllanë e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Në statusin e tij, ai ka shkruar pretendime të çuditshme, duke thënë se kritikuesit e Gërvallës do të mbeten përherë të turpëruar.
“Historia nuk do t'ua falë këtë. Do të mbeteni përherë të turpëruar! Një video për ata që në ditët e Epopesë së UÇK-së, në ditët që simbolizojnë unitetin e bashkimin karshi armikut, pa fije turpi, të mbushur me vrerë, kur panë në kullën e bacës Rifat Kryeministrin Kurti dhe Ministren Gërvalla, eskaluan duke thënë që baca Rifat nuk është dashur t’i pranojë këta të dy në kullën e tij. Baca Rifat dhe mijëra e mijëra mërgimtarë janë dëshmitarë të kontributit të madh të Donika Gërvallës para, gjatë dhe pas luftës. Ata ishin bashkë në shumë protesta në Gjermani, në aksione për të ndihmuar popullatën në Kosovë dhe për të ndihmuar luftën çlirimtare”, ka shkruar Sahiti.
Sahiti, i cili më parë u ka shërbyer edhe pushteteve tjera, duket se ka harruar se shefja e re e tij, Donika Gervalla, pati deklaruar në emisionin Info Box në Radio Televizionin Dukagjini se ka mbledhur dëshmi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ato do t’i dërgojë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Për një veprim të tillë, ish-ministrit i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e pati falënderuar publikisht për kontributin kur u patën takuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.