Këshilli Prokurorial i Kosovës: Jemi të shqetësuar me rekomandimin për shkarkimin e Bekës
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pasi Komisioni për Legjislacion ka rekomanduar shkarkimin e Agron Bekës nga KPK-ja.
KPK-ja ka thënë se është i shqetësuar nga ky vendim, dhe kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për nesër.
Njoftimi:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)-së, njofton opinionin publik se ka pranuar me shqetësim të thellë informacionin se është miratuar rekomandimi i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës për inicimin e shkarkimit të anëtarit të KPK-së, Agron Beka, që vije nga radhët e fakulteteve juridike.
KPK-ja ka thirrur nesër një takim të jashtëzakonshëm të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, në të cilin do të diskutohet lidhur me këtë çështje.
Pas këtij, takimi, opinioni publik do të njoftohet me qëndrimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Nacionale kishte raportuar për rastin e Bekës dhe dyshimet se ai ishte paguar për dhjetëra ligjërata që nuk i kishte mbajtur në Universitetin e Mitrovicës.
Nacionale kishte raportuar edhe për një kallëzim penal që ishte dorëzuar ndaj tij nga Policia e Kosovës, mirëpo i cili ishte rrëzuar dhe hetimet nuk kishin vazhduar.
Nacionale kishte publikuar edhe raportin e Agjencisë Kundër-Korrupsion për rastin e tij, ku ishin evidentuar disa shkelje.
Pas kësaj, Beka kishte paralajmëruar padi ndaj gazetarit dhe Nacionales.
Për këtë rast, kishte raportuar edhe Betimi për Drejtësi.