Hetimet s’vazhdojnë: Prokuroria pretendon se nuk ka prova ndaj Agron Bekës, anëtar i Këshillit Prokurorial
Prokuroria e Ferizajt nuk do ta hetojë Agron Bekën, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pas kallëzimit penal nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e mashtrim, Prokuroria po thotë se nuk kanë gjetur prova.
Nacionale pak më parë raportoi lidhur me këtë kallëzim penal të ngritur ndaj Bekës. Ai dyshohej se si profesor e dekan në Fakultetin Juridik në Mitrovicë, ishte paguar për disa ligjërata që nuk i ka mbajtur.
Megjithatë, Prokuroria e Ferizajt po e mohon se ka pasur kallëzim penal. Pavarësisht se Nacionale posedon një dokument që dëshmon se ky ishte kallëzim penal ndaj Agron Bekës nga Policia e Kosovës, Prokuroria thotë se ka qenë vetëm një raport informues.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar në kompetencë një raport informues kundër të dyshuarit A.B., lidhur me dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Mashtrimi””, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajt për Nacionalen.
Në dokumentin që e posedon Nacionale, por që për shkak të ruajtjes së burimit nuk mund ta publikojë, thuhet se “kallëzimi penal kundrejt Agron Bekës nga Policia e Kosovës është transferuar në Prokurorinë e Ferizajt”.
Por, kallëzim penal ose jo, Prokuroria e Ferizajt i ka mbyllur hetimet ndaj Agron Bekës, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Pas analizimit të provave të cilat i janë bashkangjitur këtij raporti informues dhe pas ndërmarrjes së veprimeve nga ana e Prokurorisë, nuk është vërtetuar se janë kryer veprat penale në fjalë, andaj, rasti është mbyllur me raport në Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Nacionalen.
Nacionale pak më parë raportoi ekskluzivisht për këtë temë. Burimet i thanë Nacionales se kallëzimi penal është transferuar për trajtim në Prokurorinë e Ferizajt.
Beka dyshohet se pavarësisht që asnjë student nuk e kishte zgjedhur lëndën e tij “Taktika kriminalistike”, Beka i kishte plotësuar formularët e mbajtjes së ligjëratave. I kishte nënshkruar vetë në cilësinë e dekanit, dhe ishin dërguar për kompensim, pavarësisht se ligjëratat nuk ishin mbajtur. Kjo dyshohet se kishte ndodhur nga tetori 2021 deri në janar 2022. Dyshohet se bëhet fjalë për një shumë rreth 700 euro.
Ndaj Agron Bekës ishte ngritur kallëzim penal në gusht të vitit 2022. Kallëzimi ishte ngritur nga dy ish-prodekanë të fakultetit Juridik në Mitrovicë. Beka dyshohej se kishte përfituar jashtëligjshëm 700 euro, nga ligjëratat që nuk i kishte mbajtur.
Madje, përveç tij në këtë kallëzim penal ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja. Në opinion Lepaja njihet si profesori i kryeministrit Albin Kurti, i cili në disa intervista të ndryshme, kishte pasur fjalë të mëdha për Kurtin sa ishte student.

Beka në kallëzimin penal e vitit të kaluar dyshohej për konflikt të interesit e keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Këto vepra penale i ka konsumuar në atë mënyrë që ka dorëzuar listat e mbarvajtjes së ligjëratës gjatë tërë semestrit dimëror 2021/2022, pa asnjë studentë duke e fshehur. faktin që studentët kanë përzgjedhur lëndën tjetër zgjedhore. Po ashtu, ka ushtruar (ende vazhdon) funksione menaxheriale të cilat e vëjnë në pozitë të konfliktit të interesit dhe këto pozita janë: pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik dhe atë të anëtarit të Këshillit Prokurorial”, thuhet në kallëzimin penal që e kishte siguruar Nacionale.
Sqarimi i Agron Bekës
Megjithatë, të gjitha këto pretendime lidhur me dyshimet për keqpërdorim që janë përfshirë në kallëzim penal, po i mohon kategorikisht Agron Beka, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Çështja e parashtrimit të kallëzimeve penale është çështje (e lirë) e vlerësimeve nga personat e ndryshëm dhe institucionet kompetente. Me qëllim të shmangies së (keq)interpretimit për ndikim në këto lloje të proceseve, mbetet në kompetencën e organeve të sistemit të drejtësisë që të merren/vendosin lidhur me këto çështje”, thuhet në përgjigjen që Beka ia ka dërguar gazetës Nacionale.
Beka ka pretenduar se gjitha këto akuza e kallëzime penale, janë shtyrë nga persona që ai personalisht i ka kallëzuar penalisht. Ai thotë se ka dorëzuar me qindra prova, karshi shkeljeve që kanë ndodhur nga disa persona në Universitetin e Mitrovicës.
Nacionale ka mësuar se edhe Agron Beka ka parashtruar kallëzim penal lidhur me pretendimet e tij. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka kërkuar që ky rast të kalojë në kompetencën e një prokurorie tjetër.

“Çdo veprim i imi si dekan dhe profesor në UIBM ka qenë dhe është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, Statutin dhe aktet tjera normative të këtij institucioni (përkundrazi ky institucion është edhe i paditur nga ana ime për kompensimin e disa mijëra eurove që nuk i ka paguar për ligjëratat e mbajtura nga ana ime), ndërsa lidhur me disa abuzues që i kam atakuar me kallëzime penale ju njoftoj se këtu kemi të bëjmë me disa abuzues që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë ngushtë për interesa personale dhe grupore në UIBM me DISA ZYRTARË TË LARTË SHTETËROR dhe faktet e shumta (mbi 250 prova) që i kam ofruar organeve të drejtësisë besoj se do ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre ligjore, në mesin e tyre edhe për krime ekonomike, falsifikime të dokumenteve zyrtare, konflikt të interesit, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, pengim në menaxhim, etj”, thuhet në përgjigjen e Agron Bekës për Nacionalen.
Krejt në fund të përgjigjes, Beka ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa për padi edhe ndaj disa mediave. “Uroj që pavarësisht se kush është subjekti si kryes i veprës penale, secili duhet të përgjigjet ligjërisht për veprimet dhe mosveprimet e tij, të sanksionuara me legjislacionin në fuqi dhe verdiktin final të organeve të sistemit të drejtësisë duhet ta respektojmë të gjithë”, përfundon përgjigja e Agron Bekës.

