Këshilli i Evropës dërgon një ekip në Kosovë dhe Shqipëri me një mision: sa janë të lira mediat?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama do të kenë javën tjetër një vizitë specifike. Një ekip të Këshillit të Evropës ka kërkuar t'i takojë kryeministrat me një qellim: sa janë të lira mediat në Kosovë e Shqipëri?
Prej 15 deri më 18 nëntor 2022, partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve do të vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë për të vlerësuar lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në të dy vendet. Delegacioni i këtij misioni, do të përbëhet nga përfaqësues të disa prej organizatave më të njohura në Evropë, për lirinë e medias dhe shprehjes së lirë.
Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave dhe Gazetarve”, Roberta Taveri nga “Article 19” një organizatë ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, Jamie ëiseman nga Instituti Ndërkombëtarë i Mediave, Ricardo Gutierrrez nga Federata Evropiane e Gazetarëve, Attila Mong nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve së bashku Radka Betcheva nga Unioni Evropian i Transmetuesve dhe Pavol Szalai nga Reporterët pa Kufij, janë ekipi që në Kosovë dhe Shqipëri do të kenë një mision: takim me kryeministrat e dy vendeve dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë.
Pos tyre, sipas njoftimit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Gazetarve do të kërkojnë të takohen edhe me deputetë të komisioneve parlamentare për media, përfaqësues të autoriteteve gjyqësore, të rregullatorëve të mediave, të transmetuesëve publikë dhe të organizatave të shoqërisë civile.
“Partnerët do të takohen me gazetarë dhe organizata të gazetarëve me qëllim që të kuptojnë gjendjen e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë dhe Shqipëri.
Misioni do të adresojë sulmet ndaj gazetarëve, rastet e pandëshkueshmërisë, kërcënimet ligjore dhe aspekte të tjera të ndërlidhura me sigurinë e gazetarëve, pavarësinë e mediave dhe të transmetuesëve publikë”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, “misioni do të publikojë të gjeturat e tij në Kosovë dhe në Shqipëri përmes konferencave për shtyp”, që do të mbahen me 16 nëntor në Kosovë dhe 18 nëntor në Shqipëri.

