Kërcënohet me jetë Kushtrim Sadiku, AGK kërkon nga organet e sigurisë t’i ofrojnë mbrojtje
Moderatori i emisionit politik “Politico”, Kushtrim Sadiku, është kërcënuar me jetë, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK kërkoi nga organet e sigurisë që t’i ofrojë Sadikut siguri fizike.
Postimi i plotë:
Gazetari Kushtrim Sadiku denoncon në Polici kërcënime serioze
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësim për nivelin alarmues të kërcënimeve të rënda me jetë, që ka marrë në ditët e fundit, gazetari i Kanal 10, Kushtrim Sadiku.
Sadiku i ka paraqitur kërcënimet në Policinë e Kosovës dhe AGK-ja i fton organet e sigurisë për hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe ofrim të mbrojtjes për shkak të cenimit të sigurisë fizike të tij dhe familjes.
AGK-ja e fton publikun që diskutimi për përmbajtjen e materialit të transmetuar të hënën në Kanal 10 të mbetet në suaza të dhënies së opinioneve pa kërcënime për sigurinë e askujt.