“Keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, prokuroria ngre aktakuzë ndaj 4 shtetasve të huaj
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër (4) personave për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Shpëlarja e parave”.
Në komunikatën e prokurorisë është bërë me dije se tre prej tyre janë shtetas Turqisë dhe një i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Prokuroria ka dhënë edhe detaje tjera për këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se kjo aktakuzë është ngritur ndaj A.S., A.S., S.O., shtetas të Republikës së Turqisë, si dhe S.E., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak se nga data 11 nëntor 2024 deri më datën 20 shkurt 2025, në intervale të ndryshme kohore, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke qenë në dijeni për transaksione të dyshimta kanë regjistruar fillimisht biznese në të njëjtën kohë në ARBK dhe kanë krijuar llogari të këtyre bizneseve dhe llogari individuale në banka të Republikës së Kosovës dhe përmes POS-terminaleve të këtyre bankave kane keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare, duke klonuar kartele bankare të shtetasve të Danimarkës dhe shtetasve të tjerë të shteteve të ndryshme dhe më pas kanë bërë transaksione në llogaritë e tyre personale dhe për vete kanë realizuar dobi të kundërligjshme pasurore në vlerë prej 372, 900. 42 euro, veprime këto, me të cilat kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 i KPRK-së”, është thënë në komunikatë.