Kelemendi kërkon që të lirohet nga pozita e U.D Kryeprokurorit të Shtetit
Besim Kelmendi ka paraqitur kërkesë zyrtare për t’u liruar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pas vendimeve të fundit të gjykatave që kanë shfuqizuar vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij.
Kërkesa, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, vjen pasi Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e KPK-së, ndërsa Gjykata e Apelit ka konfirmuar se çështja është e gjykuar, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Supremes.
“Në bazë të vendimeve të sipërcekura gjyqësore dhe situatës së krijuar në Këshillin Prokurorial, përmes këtij emaili zyrtar ua përcjell kërkesën time për të më liruar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në kërkesën e Kelmendit.
Ai ka theksuar se nuk ka aplikuar asnjëherë për këtë pozitë dhe se emërimi i tij kishte ardhur me kërkesë të anëtarëve të KPK-së. “Unë nuk kam aplikuar fare për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit… ishte kërkesë e anëtarëve të Këshillit që unë ta pranoja këtë detyrë”, ka shkruar ai.
Kelmendi vlerëson se me aktgjykimin e Gjykatës Supreme “është arritur vendosja e ligjshmërisë dhe respektimi i standardeve ligjore”, duke shtuar se kërkesa për dorëheqje është “një reflektim i vullnetit tim për të mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial”.
Në fund, ai është zotuar se do të vazhdojë të punojë “me përkushtim, pavarësi dhe profesionalizëm” për të mirën e sistemit prokurorial.