Katër të vrarë në Irak, përleshjet zhvendosen në Basra - NACIONALE

Katër të vrarë në Irak, përleshjet zhvendosen në Basra

3 javë më parë

nga NACIONALE

Katër persona u vranë gjatë përleshjeve mes militantëve shiitë në jug të Irakut, të cilat u zhvilluan gjatë natës dhe të enjten në mëngjes, thanë zyrtarët lokalë të sigurisë.

Dhuna e re është pjesë e trazirave në vendin e përfshirë nga kriza politike, e nxitur nga përplasja mes përkrahësve të klerikut Moqtada al-Sadr me partitë dhe grupet militante të lidhura me Iranin.

Zyrtarët e sigurisë thanë se përleshjet ndodhën në qendrën e qytetit Basra, zonë kryesore e prodhimit të naftës. Raportohet se dy nga të vrarët ishin pjesëtarë të Brigadave të Paqes, grup militant që e përkrah klerikun al-Sadr.

Dhuna shpërtheu përsëri këtë javë në Irak, kur përkrahës të armatosur të klerikut luftuan kundër forcave të sigurisë dhe militantëve të lidhur me Iranin. Kjo ishte beteja më e ashpër në rrugë në vitet e fundit në Bagdad.

Ngërçi politik mes dy kampeve rivale shiite e ka lënë Irakun pa qeveri që nga zgjedhjet e tetorit. Irakianët ballafaqohen edhe me pasojat e luftës së gjatë, sanksioneve, konflikteve civile e korrupsionit të lartë.

Lajme të ngjashme