Kapet pasuri e fshehur në Merdare: Zbulohen rreth 1 milion euro të padeklaruara në një automjet
Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar sot, më 24 shkurt 2026, në Pikëkalimin Kufitar Merdare, gjatë një kontrolli të realizuar nga zyrtarët e Doganës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është selektuar për kontroll të detajuar në hyrje të territorit të Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde. Gjatë skanimit me rreze X janë vërejtur indikacione për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e automjetit.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, është kryer kontroll i mëtejmë teknik, ku janë gjetur mjete monetare të padeklaruara të fshehura në një hapësirë të improvizuar. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma dyshohet të jetë rreth 1,000,000 euro.
Rasti është marrë në trajtim nga njësitë hetimore të Doganës, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.