Kapet me drogë në hyrje të burgut, arrestohet gardiani në Dubravë - NACIONALE

Kapet me drogë në hyrje të burgut, arrestohet gardiani në Dubravë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar korrektues është arrestuar dhe pezulluar nga puna sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës, pasi u kap duke tentuar të fusë lëndë narkotike brenda institucionit.

Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), parandalimi i kësaj tentative erdhi pas informacioneve të marra nga institucionet e sigurisë. Zyrtari me inicialet S.D. u ndalua për një kontroll të qëllimshëm në hyrje të qendrës.

"Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës u parandalua tentativa për futjen e kontrabandës. Pas informacioneve nga institucionet e sigurisë, gjatë kontrollit të qëllimshëm në hyrje u ndalua zyrtari korrektues me inicialet S.D., te i cili u gjetën të fshehura substanca të dyshuara narkotike, që dyshohet se kishte për qëllim t’i fusë brenda institucionit."

Menjëherë pas zbulimit, rasti i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit për ndjekje penale. Paralelisht, Komisioni Disiplinor i ShKK-së ka marrë vendim për suspendimin e menjëhershëm të zyrtarit deri në një vendim tjetër.

"Për rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e suspenduar atë nga detyra. Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.

Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla negative dhe do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo individi të përfshirë, pa përjashtim, duke mos toleruar asnjë rrezikim të sigurisë dhe integritetit të institucioneve korrektuese." - bëri të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Lajme të ngjashme