Kanadaja përplaset me ShBA-në për tarifat, Carney: Përllogaritje e gabuar e Trump
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i ka cilësuar tarifat e reja amerikane ndaj mallrave kanadeze si një “llogaritje të gabuar”, pasi negociatat tregtare mes Otavës dhe Uashingtonit dështuan të premten, shkruan BBC.
Në një fjalim të shtunën, Carney tha se kushtet e propozuara nga ShBA-ja ishin të papranueshme dhe se ai nuk ishte i gatshëm të “komprometonte sovranitetin e Kanadasë”.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se Kanadaja ndihet “e sulmuar” nga politikat tregtare amerikane.
Pas dështimit të bisedimeve, SHBA-ja vendosi tarifa të reja prej 50% për një sërë produktesh kanadeze, përveç tarifave ekzistuese mbi çelikun, aluminin, automobilat dhe lëndën drusore.
Carney njoftoi se, nga 8 shtatori, Kanadaja do të përgjigjet me masa tarifore “dollar për dollar”, që do të prekin mes të tjerash çelikun, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronikën.
Uashingtoni dhe Otava akuzuan njëra-tjetrën për ndryshime të minutës së fundit në kushtet e marrëveshjes. Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha se aktualisht nuk ka plane për rifillimin e negociatave.
Masat e reja amerikane janë kritikuar edhe nga opozita konservatore dhe disa drejtues provincialë në Kanada, të cilët paralajmërojnë për pasoja mbi vendet e punës dhe ekonominë.