"Ka njohuri të gjera", "ka jetuar në 120 shtete": Fjalët e bukura që Kurti i thoshte për deputetin Abazi
Ishte gushti i vitit 2019. Nxehtë. Albin Kurti do t’i hapte derën e partisë Haki Abazit, dhe do t’i thurte fjalë prej më të zgjedhurave. Çka saktësisht thoshte për të?
Të pranishëm në prezantimin e Haki Abazit, përveç Albin Kurtit, ishin edhe figurat më të larta të partisë: Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Elvis Hoxha, Arben Vitia e të tjerë.
Kurti do të shprehte gëzimin e tij, duke e përshkruar Hakiun si një person me “njohuri të gjera dhe eksperienca zhvillimore”, që do t’i jepte vlerë të shtuar VV-së.
“Ai ka jetuar e punuar në 120 shtete të botës në këto 20 vitet e fundit.” – thoshte Kurti në fjalët e tij për z. Abazi, duke treguar edhe se si ai njihej për përkrahjen në themelimin e dhjetëra organizatave në Kosovë.
Këto fjalë duket se nuk ishin veç fjalë. Kurti pak muaj më vonë, do ta bënte Haki Abazin njeriun e dytë më të pushtetshëm pas tij në Qeverinë Kurti I. Abazi u bë zëvendëskryeministër i dytë, pasi i pari iu dha Avdullah Hotit të LDK-së.