"Je t’u m'pengu": Vëllai i deputetit të LVV-së që është zv.drejtor në IML, refuzon të flasë për rastin e Deharit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu paraditen e së enjtes në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se janë zhdukur mostra të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Të njëjtat, ndodheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku zëvendësdrejtor është Naim Uka.
Ky i fundit, që e ka vëlla deputetin e LVV, Fitim Uka, nuk ka pranuar të flasë për Nacionalen në lidhje me këtë zhvillime.
Fillimisht, z.Uka i hapi telefonin gazetares, por me t’u prezantuar, ky shkurt i tha: “Je t’u më pengu”.
Pavarësisht insistimit për të marrë një përgjigje rreth kësaj, i njëjti e ka mbyllur telefonin duke refuzuar të flasë rreth kësaj situate.
Uka, raportohet se ka qenë ushtrues detyre i Drejtorit në IML deri para pak ditësh.
Çfarë ndodhi?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot alarmoi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Për këtë çështje, ajo tha se i ka njoftuar prokurorinë e shtetit dhe policinë.
“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- ka thënë Haxhiu.
Pas kësaj, katër zyrtarë të IML-së janë pezulluar nga puna, emrat e të cilëve janë më poshtë:
Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore
Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore
Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore
Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore

