Ja si u zbulua përmes “SKY ECC” rrjeti i krimit në të gjithë Evropën me bazë në Kosovë
EUROPOL ka dhënë detaje rreth aksionit të fundit që u zhvillua në Kosovë, ku u godit një rrjet i krimit të organizuar i përfshirë në trafikimin e drogës në shkallë të gjerë, përdorimin e dokumenteve të identitetit të rreme, posedimin e paligjshëm të armëve dhe pastrimin e parave në të gjithë Evropën.
Siç ka bërë të ditur EUROPOL, ky rrjet u zbulua nga mesazhet që anëtarët e tij kishin shkëmbyer në platformën e komunikimit të koduar SKY ECC.
Tutje thuhet se ky rrjet i krimit të organizuar me bazë në Kosovë ishte hetuar për tri vjet, ndërsa hetimi kulmoi më 9 qershor, kur Policia e Kosovës arrestoi pesë (5) anëtarë kryesorë të organizatës kriminale, të cilët qëndronin pas një perandorie kriminale me vlerë prej 80 milionë eurosh.
Në aksion morën pjesë 150 oficerë policorë, të mbështetur nga një ekspert i EUROPOL-it.
Grupi i krimit të organizuar përdorte një platformë komunikimi të koduar për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të drogës në disa vende evropiane, ndërkohë që ruante qendrën e tij operative në Kosovë.
Nga Kosova, anëtarët e lartë drejtonin aktivitetet kriminale, koordinonin dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme.
EUROPOL gjithashtu bën të ditur se gjatë tri viteve të fundit, që nga nisja e hetimit:
42 të dyshuar janë hetuar;
Janë kontrolluar 76 lokale;
Janë sekuestruar asete kriminale me vlerë rreth 80 milionë euro.
Operacioni është pjesë e një projekti të strukturuar operativ në kuadër të OTF LIMIT, duke bashkuar autoritetet e zbatimit të ligjit nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, me mbështetjen e Europolit./Nacionale