Izraeli konfirmon zyrtarisht se qëndron prapa vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Haniyeh në Teheran - NACIONALE

Izraeli konfirmon zyrtarisht se qëndron prapa vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Haniyeh në Teheran

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, për herë të parë ka pranuar se vendi i tij e ka vrarë në korrik në Teheran udhëheqësin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Kryediplomati izraelit e bëri këtë koment në një fjalim ku u zotua për t’i vënë në shënjestër krerët e lëvizjes Houthi në Jemen, që mbështetet nga Irani dhe që ka qenë duke hedhur raketa e dronë drejt Izraelit, raporton televizioni BBC.

Në një zhvillim tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është bërë ca përparim drejt marrëveshjes për armëpushim në Gaza me Hamasin, por ai nuk mund të jepte ndonjë afat se kur mund të arrihej pakti.

Kjo deklaratë erdhi pasi një zyrtar i lartë palestinez i tha BBC-së se bisedimet mes Hamasit e Izraelit ishin kompletuar 90 për qind, por se ende mbeteshin çështje kyçe për t’u zgjidhur.

Në fjalimin e tij, ministri Katz tha se Izraeli do t’i “godasë fort” rebelët Houthi dhe do t’ia “presë kokën” udhëheqësisë së lëvizjes.

“Njësoj siç bëmë me Haniyeh-un, Sinwar-in, dhe Nasrallahun në Teheran, Gaza e Liban, do të bëjmë në Hodeida e Sanaa” – tha ai, duke iu referuar udhëheqësve të Hezbollahut e Hamasit që janë vrarë këtë vit.

Grupi Houthi, që e kontrollon pjesën veriperëndimore të Jemenit, filloi që t’i sulmonte Izraelin dhe anijet ndërkombëtare në Detin e Kuq pak pasi forcat izraelite filluan ta vinin në shënjestër Hamasin në Gaza në tetorin e vitit të kaluar. Rebelët janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet derisa lufta në Gaza të përfundojë.

Lajme të ngjashme