Izraeli i përshkallëzon bombardimet, ministri Katz: Gaza po digjet - NACIONALE

Izraeli i përshkallëzon bombardimet, ministri Katz: Gaza po digjet

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Izraeli kreu bombardime të rënda gjatë natës së kaluar në Qytetin Gaza. Në raportime të pakonfirmuara në mediat “Axios” dhe “Jerusalem Post” thuhet se ushtria izraelite tashmë e ka filluar ofensivën e saj tokësore për ta pushtuar tërë qytetin.

Për sulme izraelite u raportua edhe në pjesën qendrore të enklavës, në drejtim të së cilës mijëra njerëz po ikin. Zyrtarët palestinezë thonë se ka numra në rritje të të vdekurve dhe të plagosurve, raporton televizioni BBC.

Përshkallëzimi erdhi para paralajmërimit të gjatë për pushtimin e qytetit, ku janë duke banuar qindra mijëra njerëz.

Bombardimet e reja ndodhën vetëm disa orë pasi sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, e siguroi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për mbështetje të palëkundur gjatë një vizite në Jerusalem të hënën.

Të martën herët në mëngjes, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, në rrjetin X tha se “Gaza është duke u djegur” dhe kërcënoi se vendi i tij “nuk do të zbutet dhe ne nuk do të kthehemi prapa deri në përfundimin e misionit”.

Gazetarët lokalë në Gaza thonë se ka pasur sulme ajrore, zjarr artilerie e zjarr armësh nga forcat izraelite pothuajse pa pushim në Qytetin Gaza. Thuhet se disa shtëpi janë shkatërruar dhe ka njerëz që kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja. Nuk ka pasur konfirmim zyrtar për operacion të ri tokësor nga ushtria izraelite.

Izraeli ka kërkuar që banorët e Qytetit Gaza të largohen dhe të nisen për në jug drejt një zone qendrore të enklavës. Ushtria izraelite vlerëson se rreth 250 mijë palestinezë tashmë janë larguar nga qyteti, edhe pse qindra mijëra të tjerë besohet se kanë mbetur në atë pjesë.

Disa thonë se nuk mund ta përballojnë shkuarjen në jug, ndërsa të tjerë thonë se pjesa jugore nuk është e sigurt, pasi Izraeli ka kryer sulme ajrore edhe atje. Disa thonë se janë munduar që të shkojnë në jug, por nuk kanë arritur që t’i vendosin tendat, prandaj janë kthyer në Qytetin Gaza.

Ndërkohë, kryediplomati amerikan, Rubio, pritet që pas Izraelit ta vizitojë Katarin, ku udhëheqësit e vendeve arabe të hënën e dënuan sulmin izraelit të javës së kaluar në kryeqytetin Doha, në shënjestër të të cilit ishin krerët e Hamasit. Raportohet se ata kanë shpëtuar pa u vrarë./Nacionale

Lajme të ngjashme