Ismaili: Shoqëria civile qëndron përballë përfaqësueses së pushtetit, ndërsa kritikat ia drejton shoqërisë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka thënë se është mjerim të shohësh në debate televizive përfaqësues të shoqërisë civile teksa qëndrojnë përballë përfaqësueses së pushtetit, ndërsa kritikat ia drejton shoqërisë.
Ismaili përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur të padijshme këshilltaren në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka fajësuar patriarkalizmin në sferën private.
“Sa mjerim të shohësh këshilltaren e padijshme në Ministrinë e Drejtësisë teksa fajëson patriarkalizmin në sferën private, ndërsa mbron dhe mirëmban institucionalisht agjendën e patriarkalizmit, diskriminimit dhe pabarazisë, pa e kuptuar përgjegjësinë (ri)edukative që bartë institucioni. Ky pushtet reaksionar, ka kultivuar kamikaz-llëkun në mesin e grave tek të cilat ka deleguar shtypjen e grave dhe mirëmbajtjen e patriarkalizmit në sferën publike”, ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së tutje ka thënë se sa më kamikaze që janë dëshmuar në shërbim të ideologjisë ekstremiste politike aq më të shpërblyera me pushtet janë bërë.
“Dhe sot po mbahen aq fort për këtë pushtet, sa edhe kërkesat për dorëheqje dhe përgjegjësi i drejtojnë tek vartësit dhe të tjerët! Në vend se t’u shërbenin qytetarëve dhe shoqërisë, atyre u kërkojnë llogari!”, ka përfunduar ajo.
