Ish-ushtari i UÇK-së u shkarkua pas 26 vitesh nga Policia, Visoqi akuzon VV-në për përndjekje politike: Policia tregon arsyet - NACIONALE

Ish-ushtari i UÇK-së u shkarkua pas 26 vitesh nga Policia, Visoqi akuzon VV-në për përndjekje politike: Policia tregon arsyet

1 orë më parë

nga NACIONALE

Arben Visoqi është larguar nga Policia e Kosovës pas 26 vitesh shërbim. Pas largimit, ai ka akuzuar VV-në për përndjekje politike, ndërsa Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim zyrtar duke thënë se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve disiplinore.

Visoqi ka pretenduar se largimi i tij lidhet me qëndrimet dhe aktivitetin e tij, duke e cilësuar rastin si përndjekje politike. Ai ka theksuar edhe të kaluarën e tij si ish-ushtar dhe faktin se është vëlla i dëshmorit.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës thotë se ndaj togerit policor A.V., i cili ka shërbyer në DHTQNJ në Pejë, janë iniciuar gjithsej 15 raste për shkelje disiplinore që nga inkuadrimi i tij në Polici deri në largimin nga puna.

Sipas Policisë, 13 raste janë trajtuar në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal, përmes mekanizmave të brendshëm të institucionit.

Policia thotë se tri nga këto raste kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, për të cilat janë shqiptuar gjithsej gjashtë masa disiplinore.

Në vitin 2016, ndaj tij ishte shqiptuar masa e ndalesës në pagë prej 30 për qind për dy muaj. Për një rast të iniciuar në vitin 2025, në vitin 2026 i ishte shqiptuar ndalesë në pagë prej 30 për qind për gjashtë muaj.

Masa e fundit, e shqiptuar në gusht të vitit 2026, ka qenë “Ndërprerje e marrëdhënies së punës”.

Policia thotë se zyrtari ka vazhduar me shkelje të njëjta dhe se veprimet e tij kanë qenë në kundërshtim me procedurat disiplinore të institucionit.

Sipas PK-së, rasti është trajtuar në bazë të dispozitave që lidhen me sjelljen e rëndë diskredituese, mosbindjen e rëndë dhe publikimin apo shpërndarjen e përmbajtjeve që mund të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës.

Policia ka theksuar se vendimi nuk është i pakontestueshëm, pasi palëve u është dhënë e drejta e ankesës në gjykatën kompetente.

Institucioni ka deklaruar se mbetet i përkushtuar që rastet disiplinore ndaj zyrtarëve policorë të trajtohen në mënyrë profesionale dhe të pavarur, me qëllim ruajtjen e imazhit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme