Ish-ambasadori Peci: Nuk ka hapa të dukshëm nga qeveria për dialog me komunitetin serb
Gjatë punimeve të Seminarit të 102-të të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor", ish-ambasadori Lulzim Peci i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës angazhim më të madh për qytetarët serbë në veri të vendin në mënyrë që të shkputet nga kontrolli, siç i quajti ai, të elementëve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
“Kryeministri Kurti gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar dialog me komunitetin serb në Kosovë, por sipas meje nuk ka hapa të dukshëm e të rëndësishëm që janë ndërmarrë në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës deri tash. Në anën tjetër mos implementimi i vendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me manastirin e Deçanit ka ndikim negativ në ndërtimin e besimit mes Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb”, tha ai.
Drejtori i KIPRED u shpreh se në veri ka elemente kriminale që armatosen nga vetë presidenti i Serbisë për këtë gjë tha se nuk e fsheh më as vet Aleksandër Vuçiq.
“Kjo për faktin se politikat e Serbisë, politikat hegjemoniste të Serbisë për ndarje të Kosovës janë aty… Në krahasim me pjesën jugore jeta e komunitetit serb në veri është në kontroll të plotë, jo vetëm të Listës Serbe apo edhe të elementeve të shtetit serb dhe strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe grupeve kriminale të cilat kontrollohen nga rrethi i ngushtë i presidentit Vuçiq… Po ashtu në pjesën veriore është një sentiment i fuqishëm pro-Rusi dhe pro-Putinit… Kur bëhet fjalë për popullatën serbe në pjesën verore, deri tani qeveria ka përdorur instrumentin administrativ dhe atë të pushtetit të fortë, pra nuk është bërë diçka më shumë nga qeveria për të fituar zemrat dhe mendjet e komunitet serb në veri. Kryeministri Kurti i ka bërë disa gjeste simbolike, duke u drejtuar komunitetit serb në gjuhen serbe që nuk është diçka e zakonshme në jetën tonë politike por mendoj se kjo nuk mjafton. Qeveria duhet të ndërmarrë edhe masa të pushtetit të butë në mënyrë që kjo pjesë e popullatës të ndjehet më rehat”, tha ai.
Peci tha se pavarësisht retorikës së tensionuar nuk ka potencial për një konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.
