Irani do ta furnizojë Rusinë me 40 turbina
Irani ka njoftuar të dielën se do të furnizojë Rusinë me 40 turbina për të ndihmuar industrinë e saj të gazit mes sanksioneve perëndimore.
“Sukseset industriale të Iranit nuk janë të kufizuara në fushat e raketave dhe dronëve”, është cituar të thotë nga mediat lokale, CEO i Kompanisë Iraniane të Inxhinierisë dhe Zhvillimit të Gazit, Reza Noushadi.
“Aktualisht, 85 për qind e objekteve dhe pajisjeve të nevojshme për industrinë e gazit janë ndërtuar brenda vendit dhe bazuar në këtë aftësi, së fundmi është nënshkruar një kontratë për eksportimin e 40 turbinave të prodhimit iranian në Rusi,” ka thënë më tej ai.
Noushadi nuk ka specifikuar se kur është nënshkruar kontrata, dhe kur do të dorëzohen turbinat.
Kujtojmë se, pas vendosjes së sanksioneve ekonomike për ofensivën e Kremlinit në Ukrainë, Rusia reduktoi ose ndaloi furnizimet për vende të ndryshme evropiane, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë.
