IPK rekomandon suspendimin e dy policëve: Dyshohen për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë marrë ankesë nga një qytetarë, i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.
“Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes. Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.” – thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.